Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik ndaj Postës Shqiptare, që dyshohet se është kryer nga hakerë iranianë.
Demo bëri të ditur se aktualisht po zhvillohet një analizë e detajuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në bashkëpunim me ekspertët e Postës Shqiptare, për të vlerësuar situatën dhe pasojat e mundshme.
Sipas tij, pavarësisht sulmit, të gjitha shërbimet e Postës vijojnë të funksionojnë normalisht dhe deri më tani nuk ka të dhëna që tregojnë se informacionet janë enkriptuar apo bërë të paaksesueshme.
“Duhet të presim raportin e institucioneve për të pasur një panoramë të plotë të situatës,” u shpreh ministri.
Ai theksoi gjithashtu se autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen kibernetike kanë kapacitete në rritje dhe po forcojnë vazhdimisht masat për garantimin e sigurisë së sistemeve digjitale.
Megjithatë, Demo pranoi se jo të gjitha institucionet janë ende të përfshira plotësisht në ombrellën e kësaj mbrojtjeje, duke lënë të kuptohet se mbetet ende punë për të forcuar sigurinë kibernetike në nivel kombëtar.














