Advertisement

Ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, është arrestuar në kuadër të hetimeve për arratisjen e bujshme të të dënuarit Altin Ndoci, i njohur si “ushtari i Çopjave”. Arrestimi i Cerlojt vjen pas dyshimeve për shkelje të rënda të protokolleve të sigurisë që çuan në një nga arratisjet më të rënda të viteve të fundit.

Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka zgjeruar hetimet, duke u fokusuar edhe te takimet që Altin Ndoci ka zhvilluar gjatë kohës së paraburgimit. Sipas burimeve hetimore, dy emra janë aktualisht në verifikim: Edmond Gjyzeli dhe Izmir Kusi, të cilët rezultojnë se kanë pasur disa takime me Ndocin në muajt e fundit.

Reklame

Të dy personat janë emra të njohur për organet e drejtësisë dhe dyshohet se mund të kenë qenë të përfshirë ose të kenë pasur dijeni për planin e arratisjes. Hetimet janë ende në fazë paraprake dhe po punohet për sigurimin e provave konkrete që mund të lidhin këta shtetas me ngjarjen. Deri tani nuk ka informacion zyrtar nëse ata janë lokalizuar për t’u marrë në pyetje.

Altin Ndoci u arratis tre ditë më parë nga spitali i Durrësit, ku ishte dërguar për ekzaminime shëndetësore. Shoqërimi i tij u krye me masa sigurie jashtë çdo standardi, pa pranga dhe me një kontroll minimal nga Policia e Burgjeve.

Sipas të dhënave, Ndoci u arratis nga kati i tretë i repartit të Infektivit, pasi goditi dy efektivët që e shoqëronin. Jashtë spitalit, ai u prit nga një automjet tip “Audi A7”, me të cilin u largua në drejtim të paditur.

Ndoci ndodhej në paraburgimin e Durrësit që prej vitit 2020, i akuzuar për vrasje dhe vepra të tjera të rënda penale. Arratisja e tij ka hapur një valë hetimesh dhe ka vënë në qendër të kritikave sistemin e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Reklame