Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për katër shtetasit e ekstraduar së fundmi nga Dubai, të cilët akuzohen për përfshirje në grupe kriminale të trafikut të narkotikëve.
Të shtunën, togat e zeza shqyrtuan masat e sigurisë për Kristi Qiricin, Aleks Pepajn, Ilir Lazrin dhe Shkëlzen Krajën, vetëm pak orë pas mbërritjes së tyre në Shqipëri. Në përfundim të seancës, gjykata pranoi kërkesën e SPAK-ut, duke i lënë të katërt në qeli.
Sipas hetimeve, Kristi Qirici dhe Shkëlzen Kraja dyshohen se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal që kultivonte lëndë narkotike në zonën e Sarandës gjatë viteve 2019-2021, ndërsa kanabisi trafikohej më pas drejt Greqisë.
Qirici njihet edhe si vëllai i Edmond Papës, biznesmenit që u ekzekutua në Tiranë në dhjetor të vitit 2022. Në kuadër të hetimeve për këtë grup, SPAK sekuestroi në mars të vitit të kaluar rreth 90 pasuri që dyshohet se janë krijuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal.
Ndërkohë, Aleks Pepaj dhe Ilir Lazri akuzohen si pjesëtarë të grupit kriminal të Jetmir Pepës, i dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ky grup u godit nga SPAK në prill të këtij viti, kur u ekzekutuan 11 masa sigurie në kuadër të një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës, Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë dokumentuar të paktën tetë episode të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, kryesisht në Holandë.
Burime për Ora News bëjnë me dije se, që prej nisjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për ekstradimet, 23 persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare janë sjellë në vend.
Po ashtu, mësohet se janë identifikuar edhe 12 persona të tjerë që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe për të cilët vijojnë procedurat me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.














