GJKKO ka lënë në fuqi pjesën më të madhe të masave të sigurisë ndaj personave të arrestuar në kuadër të operacionit të fundit të SPAK, i cili lidhet me trafikimin e rreth 6.7 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.
Gjatë seancës së zhvilluar për verifikimin e kushteve të zbatimit të masave të sigurisë, gjykata shqyrtoi situatën e të arrestuarve të përfshirë në këtë dosje të rëndësishme hetimore.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, grupet kriminale të goditura dyshohet se kanë organizuar trafikimin e sasive të mëdha të kokainës, ndërsa fitimet e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar më pas në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
GJKKO vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për biznesmenin Gëzim Islami, duke e liruar nga “arresti në shtëpi” kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Ndërkohë, gjykata la në fuqi masën “arrest në burg” për Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën, ndërsa për Etmond Jaupin u konfirmua masa “arrest në shtëpi”.
Hetimet e SPAK vijojnë për të zbardhur të gjithë aktivitetin e dyshuar kriminal, rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe destinacionin e investimeve të kryera me fondet që dyshohet se burojnë nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike.














