Advertisement

Tre persona janë arrestuar nga Policia në Cërrik, pasi dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme që kanë shkaktuar devijimin e rrjedhës së lumit Devoll dhe kanë rrezikuar tokat bujqësore në fshatin Gostimë.

Në pranga kanë rënë Lorenc Xibraku, 35 vjeç, Lalchand Bhuria, 42 vjeç, shtetas indian, të dy punonjës të një subjekti, si dhe Behar Troka, 46 vjeç, banues në fshatin Shalës.

Reklame

Sipas Policisë, për llogari të subjektit që administrohej nga një 22-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim, dy punonjësit dyshohet se kryenin gërryerje me mjete të rënda në shtratin e lumit Devoll. Si pasojë, rrjedha e lumit ishte devijuar dhe ekzistonte rreziku i përmbytjes së tokave bujqësore në Gostimë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se gërryerja kryhej jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen e subjektit për këtë aktivitet. Për shkeljet e konstatuara, subjekti është ndëshkuar edhe administrativisht nga strukturat e IKMT-së dhe IMT-së.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve u konstatua se 46-vjeçari Behar Troka kishte kryer ndërtim pa leje në afërsi të zonës ku ndodhej subjekti i administruar nga i afërmi i tij, 22-vjeçari i shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit, Policia ka sekuestruar një ekskavator dhe një kamion teknologjik, që dyshohet se përdoreshin për gërryerjen e shtratit të lumit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e 22-vjeçarit të shpallur në kërkim.

Lexo edhe:

Cërrik/ Konflikt familjar përshkallëzohet në vetëgjyqësi, vëllai tenton të shembë shtëpinë e motrave me ekskavator

Përplasje fatale në Cërrik, dy viktimat dyshohet se janë Qemal Çala dhe Drilon Tabaku (EMRAT)

Reklame