Pesë të rinj nga Tirana dhe Kavaja janë arrestuar në fshatin Gjashtë të Sarandës, në kuadër të një operacioni të koduar “Silenciatori”, pasi u kapën me dy pistoleta, municione dhe një silenciator.

Sipas Policisë, operacioni u zhvillua pas informacioneve se grupi mund të kryente një atentat në zonën e Sarandës. Në pranga kanë rënë Sidorel Moriseni, 32 vjeç, banues në Tiranë, dhe Alfred Kaja, 26 vjeç, banues në Kavajë, të dy me precedentë penalë. Ata dyshohet se u kapën pranë një lokali teksa po nxirrnin nga automjeti armët dhe silenciatorin.

Reklame

Bashkë me ta u arrestuan edhe Vitrin Hoxha, 20 vjeç, Vonis Poka, 31 vjeç, dhe Franko Bobja, 21 vjeç.

Sipas burimeve, hetuesit dyshojnë se grupi kishte shkuar në Sarandë për të ekzekutuar një person, ndërsa objektivi i mundshëm nuk është bërë ende i ditur. Policia dyshon se dy prej të arrestuarve kishin zënë pritë në një zonë pa ndriçim, në pritje të momentit për të kryer atentatin.

Të arrestuarit janë kapur në një zonë pranë banesës së biznesmenit Rexhep Ismaili, i cili u vra më 7 maj në lokalin e tij në Qafë Gjashtë. Hetuesit po verifikojnë nëse prania e grupit në këtë zonë lidhet me atë ngjarje apo nëse ka të bëjë me një objektiv tjetër.

Deri tani, asnjëri prej të arrestuarve nuk ka dhënë deklarime lidhur me personin që dyshohet se mund të ishte shënjestra e atentatit. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe qëllimit të grupit.

Lexo edhe :

“1 milion euro të abuzuara në një vit”, Ina Zhupa denoncon gjetjet e KLSH për Bashkinë e Sarandës

Kroçera “Seabourn Quest” mbërrin në Sarandë me 467 turistë: Vijon fluksi i vizitorëve në rivierën shqiptare

Reklame