Advertisement

Pesë studio prestigjioze ndërkombëtare të arkitekturës prezantuan këtë të martë projektet finaliste për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, një nga godinat më të rëndësishme publike në vend. Në hapjen e konkursit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se objekti ka nevojë për një transformim të thellë, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe vlerat historike që mbart.

Sipas Ramës, qëllimi është që Pallati i Kongreseve të përshtatet me standardet moderne të teknologjisë, funksionalitetit dhe cilësisë së hapësirave, ndërsa zona përreth të shndërrohet në një destinacion të ri urban dhe turistik për Tiranën.

Reklame

“Pallati i Kongreseve ka probleme serioze për t’u adresuar. Është koha për një transformim duke ruajtur identitetin e tij. Qëllimi përfundimtar është që ky pallat të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, cilësisë së hapësirave dhe strukturës së riorganizuar, por edhe që kjo zonë të bëhet një destinacion tjetër i Tiranës”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se konkursi për Pallatin e Kongreseve është pjesë e një serie projektesh të zhvilluara nga Korporata e Investimeve Shqiptare, përmes partneritetit me sipërmarrjen private.

Sipas të dhënave të bëra publike, aktualisht janë realizuar 15 konkurse ndërkombëtare, ndërsa tre të tjera janë në përgatitje. Janë nënshkruar 12 kontrata, shtatë të tjera janë në proces dhe po zhvillohen tre masterplane për 20 objekte publike.

Rama bëri të ditur se përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar nga këto projekte kalon vlerën e 1 miliard eurove, ndërsa mbi 523 milionë euro janë llogaritur si përfitim i drejtpërdrejtë për shtetin.

Sipas tij, modeli i ndjekur synon që shteti të vendosë në dispozicion prona publike të degraduara ose me nevojë për zhvillim, duke përfituar në këmbim asete të reja, hapësira publike dhe vlera ekonomike afatgjata.

Projekti për Pallatin e Kongreseve parashikon gjithashtu zhvillime të reja pranë objektit ekzistues, me synimin për ta kthyer zonën në një qendër moderne aktivitetesh kulturore, ekonomike dhe turistike në kryeqytet.

Reklame