Advertisement

Një operacion i befasishëm i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policinë e Shtetit, është zhvilluar këtë të premte në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë, duke goditur një bazë call center-i që dyshohet se ishte e përfshirë në mashtrime ndaj qytetarëve të Bashkimit Europian.

Sipas informacioneve paraprake, operacioni është realizuar në koordinim me partnerë ndërkombëtarë dhe ka pasur në fokus një ambient biznesi të vendosur pranë një kulle ngjitur me Gjykatën e Lartë, në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit. Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK mbi akuzat konkrete apo numrin e personave të përfshirë.

Reklame

Burime bëjnë me dije se call center-i i përkiste një shtetasi të huaj, italian, i cili kishte marrë me qira ambientet në kullën e ndërtuar pranë ish-shtëpisë së përgjimit të Sigurimit të Shtetit. Në aktivitet dyshohet se ishin të përfshirë edhe ortakë shqiptarë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga grupet hetimore janë sekuestruar kompjutera, pajisje elektronike dhe materiale dokumentare, të cilat besohet se lidhen me një skemë mashtrimi të sofistikuar ndaj shtetasve të vendeve të Bashkimit Europian. Hetimet po zhvillohen paralelisht nga një prokuror i huaj dhe një prokuror shqiptar, çka tregon përmasën ndërkombëtare të çështjes.

Në ambientet e qendrës tregtare ku ndodhej call center-i janë parë edhe kameramanë të emisionit investigativ italian “Le Iene”, fakt që përforcon dyshimet se rasti mund të jetë objekt i një hetimi të gjerë mediatik dhe gjyqësor përtej kufijve të Shqipërisë.

Autoritetet pritet të dalin me një qëndrim zyrtar në orët ose ditët në vijim, ndërsa operacioni konsiderohet një tjetër goditje e fortë ndaj rrjeteve të dyshuara të mashtrimit ndërkombëtar që përdorin territorin shqiptar si bazë operative.

Reklame