Një raport teknik përfundimtar i ekspertëve në Romania ka konfirmuar se droni i rrëzuar në një ndërtesë banimi në qytetin Galați më 29 maj ishte një dron luftarak rus i tipit Geran-2.

Sipas raportimeve të “The Insider”, të cituara nga presidenti rumun Nicușor Dan, ekspertët kanë arritur në këtë përfundim pas analizës së fragmenteve të gjetura në vendngjarje, përfshirë mbishkrime në cirilik “ГЕРАН-2”.

Reklame

Hetuesit kanë identifikuar komponentë elektronikë, sisteme navigimi, module kontrolli dhe motorë që përputhen me ato të përdorura në dronët e tipit Geran-2, duke forcuar përfundimin se bëhet fjalë për një mjet ushtarak të prodhimit rus.

Raporti teknik thekson gjithashtu se karakteristikat e materialeve dhe të karburantit të gjetur në mbetje janë të njëjta me ato të dronëve të këtij modeli të identifikuar më parë në konflikte të tjera.

Presidenti Dan deklaroi se incidenti është “jashtëzakonisht serioz”, duke shtuar se Rusia mban përgjegjësi të plotë për ngjarjen, e cila ka shkaktuar dëme materiale dhe lëndime në një zonë banimi.

Autoritetet rumune vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të hyrjes së dronit në territorin e vendit.

Reklame