Zbulime të reja nga dokumentet që lidhen me financierin e ndjerë dhe të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, nxjerrin në pah praninë e një prej figurave më të njohura të shkencës moderne në shtëpinë e tij në Manhattan.

Sipas një raporti të publikuar nga e përditshmja britanike The Telegraph, fotografi të përfshira në dosje tregojnë shkencëtarin amerikan, fitues të Çmimit Nobel, James Watson, duke buzëqeshur përkrah tre grave të reja në një dhomë pritjeje në rezidencën e Epstein në Nju Jork.

Reklame

Data e saktë e realizimit të fotografive nuk është bërë publike, por sipas raportimit ato duket se i përkasin mesit ose fundit të viteve 2010 – disa vite pasi Epstein ishte liruar nga burgu për një vepër penale seksuale me të mitur.

Një nga imazhet e publikuara e paraqet Watson-in duke diskutuar me një nga gratë një punim të tij shkencor mbi kancerin dhe antioksidantët.

James Watson, së bashku me bashkëzbuluesin e tij Francis HC Crick, fitoi Çmimin Nobel në Mjekësi në vitin 1962 për identifikimin e strukturës me spirale të dyfishtë të ADN-së – molekula që mbart informacionin gjenetik dhe përbën bazën e kromozomeve.

Megjithatë, dekadat e fundit të jetës së tij u shoqëruan me polemika të forta për deklarata që lidhin racën me inteligjencën, pretendime që u kundërshtuan gjerësisht nga komuniteti shkencor. Në vitin 2019, disa institucione i hoqën titujt e nderit, duke e izoluar nga qarqet akademike.

Sipas dokumenteve, Epstein kishte shkëmbyer dhjetëra email-e me bashkëpunëtorë në lidhje me Watson-in, duke diskutuar organizimin e mëngjeseve dhe darkave me të. Në një komunikim, ai u kërkonte miqve të përgatisnin pyetje mbi gjenetikën përpara takimeve me shkencëtarin.

Në një shkëmbim emailesh të vitit 2016 me akademikun amerikan Noam Chomsky, Epstein pretendonte pa baza se “hendeku i rezultateve të testeve midis afrikano-amerikanëve është i dokumentuar mirë”, duke iu referuar pikëpamjeve të Watson-it. Në të njëjtin email, ai shkruante se Watson ishte bërë “person i padëshirueshëm” pas publikimit të disa deklaratave të tij.

Raporti thekson gjithashtu se Epstein kishte blerë në vitin 2014 autobiografinë e Watson-it të vitit 2002, “Genes, Girls, and Gamow: After the Double Helix”. Një email i shkurtit 2007 nga asistenti i Watson-it drejtuar Epstein-it njoftonte: “Dr. Jim Watson ju dërgoi disa dokumente nëpërmjet FedEx. I kam vendosur ato në tryezën tuaj të ngrënies.”

The Telegraph thekson se nuk ka asnjë sugjerim për shkelje ligjore nga ana e Watson gjatë vizitave në rezidencën e Epstein në Nju Jork. Megjithatë, publikimi i fotografive dhe korrespondencës hedh dritë mbi përpjekjet e Epstein për të ndërtuar dhe ruajtur marrëdhënie me figura me ndikim në shkencë, biznes dhe politikë, edhe pas dënimit të tij.

Rasti rikthen në vëmendje rrjetin e gjerë të kontakteve që Epstein arriti të krijojë me personalitete të rëndësishme ndër vite, duke ngritur sërish debat mbi etikën dhe distancimin institucional nga figura të komprometuara.

Reklame