Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanovic, përmendet në dosjet që lidhen me abuzuesin e dënuar seksual Jeffrey Epstein, të publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
Sipas dokumenteve, emri i Djukanovic shfaqet në një sërë mesazhesh që Epstein dyshohet se ka shkëmbyer me politikanin sllovak Miroslav Lajçak. Në një nga këto komunikime, Lajçak shkruan se presidenti i Malit të Zi “mezi pret vizitën tonë”.
Në vijim të bisedës, Epstein i përgjigjet: “Ndoshta duhet t’i japë Donaldit një strehë të sigurt”, ndërsa Lajçak thekson se “pika e dobët e Donaldit është Mali i Zi”. Mesazhet përfshijnë gjithashtu dërgimin nga Epstein të një linku të New York Times, të shoqëruar me një fotografi të Kotorrit, ndërsa Lajçak i përgjigjet: “Të thashë që Mali i Zi ishte i shkëlqyer”.
Në një tjetër shkëmbim, Epstein e pyet Lajçakun nëse Djukanovic mbante postin e presidentit apo të kryeministrit në atë periudhë, duke marrë përgjigjen se ai ishte president. Sipas burimeve, një pjesë e këtyre mesazheve janë shkëmbyer në gusht 2018, ndërsa të tjera më 21 shtator të po atij viti.
Pas publikimit të dokumenteve, Milo Djukanovic ka reaguar duke mohuar kategorikisht çdo njohje apo komunikim me Jeffrey Epsteinin. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë kontakt të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me të.
“Në përgjigje të interesimit të shpeshtë të përfaqësuesve të medias lidhur me publikimin e komunikimeve të të ndjerit Jeffrey Epstein, dua të sqaroj se nuk e kam njohur kurrë Epsteinin dhe nuk kam komunikuar asnjëherë me të, drejtpërdrejt apo tërthorazi. Për rrjedhojë, nuk mund të dëshmoj për vërtetësinë e bisedave të publikuara apo për vizitat e tij të mundshme në Mal të Zi,” është shprehur Djukanovic.
Dosja e publikuar nga autoritetet amerikane përfshin rreth 3 deri në 3.5 milionë faqe materiale, mbi 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe që lidhen me aktivitetet e Jeffrey Epstein. Departamenti i Drejtësisë bën me dije se një pjesë e përmbajtjes është redaktuar ose nuk është bërë publike, për shkak të mbrojtjes së privatësisë së viktimave, duke fshirë pjesërisht ose plotësisht emra dhe të dhëna personale.














