Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dhënë detaje mbi veprimet hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, lidhur me tubimin e zhvilluar më 10.02.2026 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 1 arrestuan në flagrancë 17 shtetas, si dhe katër të mitur 17-vjeçarë, të dyshuar për veprat penale: “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Reklame

U arrestuan shtetasit Kreshnik Çeço, Klodian Bajrami, Leonid Tusha, Klejdi Subashi, Suzana Dimushi, Ramazan Nuhu, Florian Nuhu, Daniel Zeka, Andrea Kulla, Fabiol Ahmeti, Geraldo Demiraj, Danjel Kulla, Artur Kadria dhe Arbri Ujkaj.

Ndërkohë, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 32 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për:

  • E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”;

  • B. K., K. B., L. B. dhe F. N., anëtarë të Partisë Demokratike, për “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.

Në lidhje me ngjarjen, është shpallur në kërkim shtetasi L. P., 41 vjeç, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.

Sipas Policisë, protestuesit u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas u zhvendosën drejt Kuvendit, ku gjatë tubimit hodhën lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinave shtetërore.

Si pasojë e përplasjeve, 16 punonjës policie mbetën të dëmtuar. Ata morën ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse (benzinë), të gjetura pranë godinës së Kuvendit.

Strukturat hetimore të Policisë së Tiranës, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune gjatë protestës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Reklame