Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat dhe kundërshtimet e ngritura ndaj Paketës së Maleve, duke mbrojtur nismën e qeverisë dhe duke argumentuar se ajo është hartuar për të adresuar problematikat e pronësisë dhe dokumentimit të tokave në zonat malore.
Në një komunikim nga Thethi, Rama u ndal te debatet që kanë shoqëruar paketën, ndërsa kritikoi ata që, sipas tij, japin gjykime për situatën në zonat malore pa e njohur nga afër realitetin e këtyre territoreve.
“Nuk e di sa janë të informuar ata që malet i shohin nga qyteti dhe politikën e gjykojnë nga kafeneja”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, në disa zona të vendit, veçanërisht në veri, problematikat e pronësisë mbi tokën vijojnë të jenë të pazgjidhura prej dekadash. Ai argumentoi se në disa komunitete banorët nuk e kanë njohur ose pranuar ndarjen e tokës të bërë pas viteve ’90.
Rama: Paketa e Maleve lindi nga problematikat e pronësisë
Kryeministri tha se në disa territore banorët dhe komunitetet kanë vijuar ta ndajnë tokën mes tyre, duke mos pranuar ndarjen e saj sipas ligjit të pronësisë.
“Ka territore ku banorët dhe komunitetet nuk e kanë njohur ligjin e ndarjes së tokës. Për këtë arsye e kanë ndarë tokën mes tyre, sepse me ligjin 7501 nuk kanë ndarë atë që kanë pasur në të shkuarën”, deklaroi Rama.
Sipas tij, pikërisht këto problematika kanë qenë ndër arsyet që kanë çuar në hartimin e Paketës së Maleve, e cila nga qeveria është paraqitur si një mekanizëm për të zgjidhur çështjet e pronësisë dhe për t’i dhënë mundësi zhvillimit të zonave malore.
Protestat kundër Paketës së Maleve
Paketa ka shkaktuar kundërshtime dhe protesta nga banorë dhe grupe të ndryshme, të cilët kanë ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si trajtohen tokat dhe pronat në zonat malore.
Kundërshtarët e nismës kanë kërkuar më shumë transparencë dhe garanci për mbrojtjen e pronësisë, ndërsa qeveria këmbëngul se paketa synon të zgjidhë problematika të vjetra dhe të krijojë një kuadër për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave malore.
Debati për Paketën e Maleve vijon të mbetet një nga çështjet më të diskutuara në vend, ndërsa kundërshtimet dhe qëndrimet pro saj pritet të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim.














