Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës së një të reje 18-vjeçare është shënuar mbrëmjen e djeshme, 15 janar, në qytetin e Durrësit.
Viktima është identifikuar si Vikena Greku, 18 vjeçe, e cila ndodhej pasagjere në automjetin që u përfshi në aksident. Mjeti drejtohej nga Arbëri Xhaxhaj, 26 vjeç, banues në Fier, i cili sipas Policisë së Durrësit dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:15, në zonën e Urës së Dajlanit, në lagjen nr. 4, ku automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi. Si pasojë e përplasjes, përveç viktimës, janë plagosur edhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, si dhe vetë drejtuesi i automjetit.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Durrësit bën me dije:“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi. Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.”
Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt spitalit, ku po marrin trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tyre raportohet nën monitorim.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, si dhe për verifikimin e dyshimeve lidhur me drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në opinionin publik, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë të plotë mbi përgjegjësitë penale të këtij aksidenti tragjik.














