Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni “blic” i zhvilluar mesditën e kësaj të premteje nga SPAK, në kuadër të hetimeve për aferën KAYO.
Krahas kontrolleve në banesën e biznesmenit Ron Yeffet dhe ambiente të tjera të lidhura me çështjen, hetuesit ushtruan kontroll edhe në banesën e administratorit të KAYO-s, Ardi Veliu.
Sipas raportimeve në media, SPAK i ka sekuestruar telefonin Ardi Veliut, i cili është marrë në cilësinë e provës materiale për t’iu nënshtruar më tej ekspertimit.
Veliu mban detyrën e administratorit të KAYO-s, shoqërisë shtetërore që operon në fushën e industrisë së mbrojtjes. Për shkak të funksionit të tij, komunikimet dhe të dhënat që mund të gjenden në pajisjen e sekuestruar do të jenë pjesë e materialeve që do të analizohen nga hetuesit në vijim të procedurës.
Kontrollet e SPAK të zhvilluara këtë të premte vijnë pas publikimit të audiopërgjimeve të Arben Ahmetajt, në të cilat ngrihen pretendime për një skemë të dyshuar trafikimi armësh dhe për persona e kompani të lidhura me sektorin e industrisë së mbrojtjes.
Tashmë, në fokusin e hetuesve janë edhe materialet e sekuestruara gjatë aksionit, përfshirë dokumenta dhe kontrata private ndërsa ekspertimi i tyre pritet të hedhë dritë mbi komunikimet dhe rrethanat që lidhen me objektin e hetimit.
Lexo edhe
SPAK zbarkon në vilën e Ron Yeffet, kontrolle në banesën e biznesmenit izraelit














