Në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca e radhës e gjykimit në themel për dosjen “Meta”, ku të pandehur janë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-deputetja Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë.
Seanca është shoqëruar me debate mes gjyqtares Etleva Deda dhe avokatit të Metës, Kujtim Cakrani, pasi gjykata kërkoi ndërprerjen e transmetimit live dhe largimin e mediave nga salla.
Avokati kundërshtoi vendimin, duke pretenduar se nuk kishte bazë ligjore për ndalimin e transmetimit të drejtpërdrejtë të seancës.
Gjatë debatit, Meta iu drejtua avokatit me komente ironike ndaj gjyqtares, ndërsa kjo e fundit reagoi duke mohuar deklaratat e bëra në sallë.
Edhe Kryemadhi ndërhyri gjatë seancës, duke kundërshtuar mënyrën e trajtimit në sallën e gjyqit.
Më pas, GJKKO argumentoi se parimi i publicitetit të procesit nuk nënkupton detyrimisht transmetim live, duke theksuar se transmetimi i drejtpërdrejtë mund të cenojë privatësinë e dëshmitarëve.
Gjatë seancës, me kërkesë të SPAK-ut, u largua nga salla edhe Edmond Haxhinasto, pasi rezulton se ka dhënë dëshmi në fazën e hetimeve paraprake.
Nga ana tjetër, Kryemadhi kërkoi që t’i vihet në dispozicion CD-ja me përgjimet ambientale të administruara në dosje.
Seanca vijon mes tensioneve dhe debateve procedurale mes palëve.
DEBATET
Gjyqtarja Etleva Deda: Në seancë nuk janë të pandehurit Fatime Kryemadhi dhe Pirro Xhixho. Gjykata do ta vijojë seancën në mungesë të tyre, por do të përfaqësohen nga avokatët. Ju lutem mediave të ndërpresin transmetimin.
Cakrani: Zonja gjyqtare ju po shkelni procedurën. Ju nuk keni asnjë bazë ligjore të ndërprisni transmetimin live të mediave.
Ilir Meta: Mos u lodh avokat, për atë gjë merr 10 mijë euro ( i referohet gjyqtares për rrogën)
Gjyqtarja: Nuk marrim aq!
Debat pas nxjerrjes së kamerave jashtë.
Avokati Cakrani: Lejoni të jepet live!
Gjyqtarja Etleva Deda: Miting nuk bëhet në sallë
Monika Kryemadhi: Edhe vrasësi serial killer në Amerike nuk rri në kafaz.
GJKKO mbi kërkesën për transmetim live: Parimi i publicitetit të seancës nuk do të thotë të transmetohet drejtpërdrejtë. Transmetimi live cenon privatësinë e dëshmitarëve.
Pas kësaj nxirret nga salla e gjyqit Edmond Haxhinasto me kërkesë të SPAK-ut.
“Ka dhënë dëshmi në fazën e hetimeve paraprake”, u argumentua në sallë.
Nga ana tjetër, Kryemadhi i kërkoi GJKKO-së t’i vërë në dispozicion CD-në me përgjimet ambientale që janë kryer.














