Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën e Zvërnecit, Vlorë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama ka deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë një bashkëbisedim publik me protestuesit, duke u kërkuar atyre të zgjedhin deri në 20 përfaqësues për të diskutuar mbi shqetësimet dhe pretendimet e ngritura ndaj projektit, si edhe për çështje të tjera që lidhen me qeverisjen.

Reklame

Ftesa për dialog dhe qëndrimi për projektin

Në mesazhin e tij, Kryeministri vlerëson qytetarët që kanë marrë pjesë në protesta, por njëkohësisht përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj kritikëve politikë, duke i cilësuar si “më të freskët se mbeturinat politike” që, sipas tij, kanë qenë prezentë për vite me radhë në skenën publike.

Ai thekson gjithashtu se nuk tërhiqet nga plani për zhvillimin e resortit në Zvërnec, duke e konsideruar atë pjesë të vizionit për zhvillimin turistik të vendit.

“Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar… mblidhuni jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik,” është shprehur Rama në reagimin e tij.

Protesta në Tiranë

Ndërkohë, në orën 18:00 të ditës së sotme është paralajmëruar një tjetër protestë në Tiranë kundër projektit në Zvërnec. Protestuesit pritet të mblidhen në Sheshi Skënderbej, për të marshuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me ndalesë përfundimtare para godinës së Kryeministria.

Çështja e ndërtimit të resortit në zonën e Zvërnecit ka ndezur debate publike mes qeverisë dhe grupeve qytetare që kundërshtojnë projektin, duke ngritur shqetësime për ndikimin mjedisor dhe përdorimin e territorit.

Nga ana tjetër, qeveria e sheh projektin si pjesë të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve turistike në zonat bregdetare.

Protesta e paralajmëruar pritet të zhvillohet në mbrëmje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagime të tjera nga qeveria pas saj.

Reagimi i Ramës:  Çuna, Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet.

Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.

Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?

Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni.

Nëse doni, natyrisht.

Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara:

ju në kor me robt e shtëpisë time,

unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian

Reklame