Deputeti i Partia Socialiste e Shqipërisë, Erion Braçe, deklaroi se Tirana po shkon drejt një situate të vështirë administrimi, duke theksuar se kryeqyteti “nuk po qeveriset”.
I ftuar në emisionin “Euronews Tonight” me Mirela Milori, Braçe u shpreh se, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, situata në drejtimin e Bashkisë së Tiranës mbetet problematike.
Sipas tij, është ngritur një grup me deputetët socialistë të Tiranës për të koordinuar drejtimin e qytetit në mënyrë “kuazi”, por mekanizmi nuk po funksionon siç duhet.
“Për fat të keq nuk po shkojnë shumë gjëra. Tirana është një qytet që nuk po qeveriset dhe po kthehet në të paqeverisshme. Edhe pse qeveria, kryeministri dhe ne deputetët jemi munduar shumë, gjërat nuk po funksionojnë as në Tiranë dhe as në bashki”, u shpreh Braçe.
Ai shtoi se pasojat politike po i ndjejnë vetë socialistët në terren, duke përmendur mungesën e koordinimit brenda strukturave të partisë në kryeqytet.
Braçe solli si shembull një mbledhje të zhvilluar në Njësinë nr. 5 në Tiranë, ku sipas tij deputeti i zonës nuk ishte njoftuar fare, ndonëse kishte punuar dhe kishte marrë votat e qytetarëve të asaj njësie.
Sipas deputetit socialist, në mbledhje merrnin pjesë drejtues politikë të deleguar nga partia, ndërsa deputetët që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me elektoratin po lihen jashtë proceseve organizative.















