Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar organizimin e një proteste kombëtare ditën e nesërme, më 31 tetor, në orën 12:00, në mbështetje të lëvizjes studentore që prej ditësh vijon protestat në Tiranë.

Përmes një deklarate publike, Berisha u ka bërë thirrje anëtarëve, mbështetësve të PD-së dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen protestës.

Reklame

Ai vlerësoi qëndrueshmërinë e studentëve dhe gjimnazistëve, duke e cilësuar revoltën e tyre si një lëvizje kundër korrupsionit dhe qeverisë. Sipas Berishës, protestuesit kanë fituar mbështetje të gjerë dhe kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Në deklaratën e tij, kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorim të dhunës ndaj protestuesve dhe për përpjekje për të delegjitimuar lëvizjen studentore. Ai ngriti gjithashtu akuza për përdorim të forcës dhe trajtim të dhunshëm të demonstruesve nga policia.

Berisha kundërshtoi edhe etiketimin e protestës si lëvizje “ANTIFA”, duke këmbëngulur se, sipas tij, bëhet fjalë për një lëvizje studentore kundër korrupsionit, vjedhjes së zgjedhjeve dhe mbrojtjes politike të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.

Protesta e thirrur nga PD-ja vjen në një kohë kur lëvizja studentore ka hyrë në ditën e 18-të, ndërsa opozita ka njoftuar se do të mobilizojë mbështetësit e saj në një tubim kombëtar.

Lexo edhe

Berisha hedh akuza për protestën: “Banda e mikrofonit” vendoste kush lejohej të fliste

Etika godet grupin e PD-së, Berisha 10 ditë jashtë, pesë deputetë përjashtohen për dy muaj

Reklame