Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor F. L., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit Nr.5, Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, sipas nenit 291 të Kodit Penal.
Ngjarja ndodhi sot rreth orës 16:40 në rrugën “George Bush” në Kamëz, ku punonjësi i policisë u përfshi në një aksident që shkaktoi vetëm dëme materiale.
Pas testimit me matës alkooli, rezultoi pozitiv me nivel 0.91 mg/l, ndërsa materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke kontaktuar në numrin e gjelbër 0800 9090 ose duke dërguar email në [email protected].














