Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar atë që e cilësoi si sulme ndaj protestuesve të lëvizjes rinore qytetare, duke akuzuar mazhorancën dhe Tom Doshin për përfshirje në këto episode.
Në deklaratën e tij, Berisha tha se “bandat e Edi Ramës”, sipas tij, po përdorin Tom Doshin për të sulmuar protestuesit.“Duhet të dënoj me forcën më të madhe bandat e Edi Ramës, që nëpërmjet Tom Doshit, sulmojnë flamingot, sulmojnë protestuesit paqësorë”, deklaroi Berisha.
Ai iu drejtua edhe Tom Doshit, duke e akuzuar se po përdoret nga kryeministri Edi Rama.“I rikujtoj Tom Doshit se ai është përdorur si mish për top me 21 janar dhe të heqë dorë nga keqpërdorimi si mercenar i Edi Ramës”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha tha se Partia Demokratike dënon çdo ndërhyrje ndaj protestës dhe i bëri thirrje demokratëve që t’i bashkohen lëvizjes qytetare, por jashtë strukturave dhe logove partiake.
“PD dënon me forcën më të madhe çdo ndërhyrje të Edi Ramës ndaj lëvizjes paqësore rinore qytetare më të fuqishme që vendi ka njohur që nga vitet ’90”, deklaroi Berisha.
Në fund, ai u bëri thirrje demokratëve “të bëjnë çdo përpjekje për të marrë pjesë në këtë lëvizje si qytetarë jashtë logove partiake”, duke e cilësuar këtë si një interes të rëndësishëm për vendin.
Lexo edhe:
Zhvillimet në PS, Berisha: Pritet zëvendësimi i Peleshit me Ballën, ja pse!














