Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku u ndal te rritja e çmimit të naftës dhe ndikimi i saj në ekonominë familjare.

Berisha theksoi se java që lamë pas shënoi një tjetër goditje për qytetarët, pasi çmimi i naftës arriti në 224 lekë për litër, duke e cilësuar si një nga më të lartët në botë. Sipas tij, ndonëse kriza energjetike globale dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në treg, Shqipëria mbetet rast ekstrem për shkak të nivelit të lartë të taksimit.

Reklame

Ai akuzoi qeverinë e drejtuar nga Edi Rama se aplikon taksën më të lartë mbi naftën, që sipas tij arrin në rreth 60% të çmimit, ose 1.1 euro për litër. Berisha u shpreh se kjo barrë fiskale i detyron qytetarët shqiptarë të paguajnë deri në 6-8 herë më shumë në raport me të ardhurat, krahasuar me vendet e tjera.

Sipas tij, rritja e çmimit të naftës nuk prek vetëm drejtuesit e automjeteve, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e ushqimeve, transportit dhe produkteve bujqësore, duke rënduar më shumë shtresat me të ardhura të ulëta.

Berisha propozoi përgjysmimin e menjëhershëm të taksave mbi karburantet, duke e konsideruar këtë si të vetmen mënyrë për të lehtësuar qytetarët dhe për të afruar nivelin e taksimit me vendet e Bashkimit Europian.

Në vijim, ai hodhi akuza edhe për kontrabandë, duke pretenduar se sasi të konsiderueshme karburanti hyjnë në vend pa u doganuar. Po ashtu, kritikoi idenë e krijimit të një ndërmarrjeje shtetërore për menaxhimin e tregut të karburanteve, duke e cilësuar si një skemë që mund të dëmtojë financat publike.

Në përfundim, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protesta kundër qeverisë, duke paralajmëruar se vështirësitë ekonomike do të thellohen nëse situata aktuale vijon.

Reklame