Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar atë që e cilëson si një skandal të rëndë në sektorin e karburanteve, duke deklaruar se aktualisht Shqipëria nuk disponon asnjë litër rezervë shtetërore nafte.
Gjatë një takimi me ekspertë të fushës, Berisha u shpreh se çmimi i lartë i naftës po rëndon ndjeshëm mbi ekonominë dhe buxhetet familjare, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove për transportin, bujqësinë dhe produktet ushqimore.
Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për barrë të lartë fiskale mbi karburantet, duke theksuar se taksat përbëjnë rreth 60% të çmimit të naftës, një nivel që sipas tij nuk gjendet në asnjë vend tjetër në botë.
“Ky është një ndëshkim për qytetarët shqiptarë. Nuk prek vetëm ata që kanë automjete, por gjithë zinxhirin ekonomik dhe çdo familje,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të mungesës së rezervave strategjike. Ai rikujtoi se në vitin 2012, në përputhje me direktivat e Komisionit Europian, u miratua ligji për rezervat e naftës dhe u përcaktuan edhe vendndodhjet për depozitimin e tyre.
Megjithatë, Berisha deklaroi se sot, pavarësisht këtij kuadri ligjor, nuk ekziston asnjë rezervë shtetërore nafte.
“Kjo është shkalla e përgjegjësisë shtetërore ndaj qytetarëve për një nga burimet më jetike të ekonomisë,” theksoi ai, duke e cilësuar situatën si alarmante në kushtet e krizës globale të energjisë.
Ai bëri thirrje që qytetarët të mos pranojnë këtë nivel të lartë taksimi dhe mungesën e sigurisë energjetike, duke kërkuar ndryshim të politikave aktuale në sektorin e karburanteve.















