Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta e 22 marsit në Tiranë shënon një moment të ri në përballjen me qeverinë, duke paralajmëruar se “beteja do të jetë e pandërprerë” deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Sipas Berishës, qytetarët “nderuan në mënyrën më madhështore” ditën e parë të demokracisë, duke dalë masivisht në rrugë për të shprehur revoltën dhe zemërimin ndaj qeverisë që ai e cilësoi si “narkodiktaturë” dhe “autokraci elektorale”.
Ai theksoi se kjo ishte një nga protestat më të fuqishme të zhvilluara ndonjëherë në Tiranë, duke shtuar se mesazhi i qytetarëve është i qartë: “nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet” në këto kushte.
“Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje. Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale,” u shpreh Berisha.
Ai falënderoi dhjetëra mijëra qytetarë që morën pjesë në protestë, duke e cilësuar reagimin e tyre si përfaqësim të “revoltës së një kombi të tërë”.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për mungesë legjitimiteti, duke pretenduar se ka dalë nga “farsa elektorale” dhe se ka bllokuar drejtësinë, ndërsa shtoi se opozita do të vijojë aksionin deri në “rikthimin e votës së lirë dhe shtetit ligjor”.
Një tjetër element i theksuar prej tij ishte vëmendja ndërkombëtare, ku sipas Berishës, pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme, protesta e qytetarëve shqiptarë ka qenë ndër lajmet kryesore në mediat botërore.
“Ka një popull që nuk pranon këtë dhe që ngrihet fuqishëm kundër tij,” përfundoi Berisha, duke paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të protestave në gjithë vendin.















