Dy ditë më parë, Igli Tafa u emërua drejtor i Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), pas pezullimit të Linda Karçanaj, e cila po hetohet nga SPAK për grup kriminal dhe shkelje të barazisë në tendera.
Kryeministri Edi Rama e prezantoi si një “asset” të Shqipërisë dixhitale, duke e përshkruar si profesionist me eksperiencë në misione jashtë vendit, i kthyer për të mbrojtur serverat shtetërorë pas sulmit kibernetik të Iranit.
Por pas fasadës profesionale, Tafa duket se përsërit gabimet tipike të administratës shqiptare: postet strategjike i sheh si “të trashëguara”. Ai anashkaloi dy zv. drejtoreshat e AKSHI-t dhe vendosi Saimir Kapllanin si pasardhës në drejtimin e Analizës së Përputhshmërisë, Riskut dhe Kontrollit të Masave të Sigurisë Kibernetike – duke krijuar dyshime për politizim dhe nepotizëm.
AKSK, ku Tafa kishte drejtuar më parë, u transformua në 2023 në një strukturë strategjike për sigurinë kibernetike, nën mbikëqyrje të Këshillit të Ministrave.
Megjithatë, vendimet personale mbi poste kyçe kërcënojnë funksionimin real të një institucioni të rëndësishëm për sigurinë kombëtare.
A mund të jetë AKSHI funksional me një drejtues që sheh postin si pronë personale?
A rrezikon politizimi sigurinë kibernetike të vendit?
Kush kontrollon vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në mbrojtjen e infrastrukturës kritike?















