Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dr. Artan Distafa, ka reaguar për problematikën e parkimit në kryeqytet, duke kritikuar Bashkinë e Tiranës për mënyrën e menaxhimit të këtij shërbimi dhe për rritjen e kostove për qytetarët.
Sipas Distafës, parkimi është kthyer në një nga problemet kryesore të përditshmërisë për banorët e Tiranës. Ai pretendon se qytetarët humbin kohë duke kërkuar vende parkimi, ndërsa përballen me tarifa të larta dhe një shërbim që, sipas tij, nuk përmbush standardet e premtuara.
Distafa ka ngritur shqetësime edhe për një procedurë tenderimi të zhvilluar nga “Tirana Parking”, e cila, sipas tij dhe raportimeve mediatike, parashikon një vlerë prej rreth 485 mijë eurosh për blerjen e 18 kasave automatike.
Ai e ka cilësuar këtë procedurë si një zhvillim që ngre pikëpyetje mbi prioritetet e administrimit të fondeve publike, duke kërkuar transparencë për mënyrën e përdorimit të parave të qytetarëve.
“Ndërsa SPAK po heton një sërë procedurash në Bashkinë e Tiranës, ‘Tirana Parking’ ka hapur një procedurë tenderuese me vlerë rreth 485 mijë euro për blerjen e 18 kasave automatike, një zhvillim që ngre pikëpyetje serioze për prioritetet e administrimit të parave publike”, shprehet Distafa.
Anëtari i Këshillit Bashkiak pretendon se rritja e tarifave të parkimit nuk është shoqëruar me shtim të vendeve të parkimit apo me përmirësim të ndjeshëm të shërbimit.
Sipas tij, Tirana vijon të përballet me mungesë të hapësirave të parkimit, trafik të rënduar dhe mungesë të një strategjie afatgjatë për menaxhimin e lëvizjes në kryeqytet.
“Tirana është shndërruar në një qytet ku është më e lehtë të gjesh një tender sesa një vend parkimi”, deklaron ai.
Distafa, në emër të Partisë së Lirisë, i ka bërë thirrje organeve kompetente që të verifikojnë me transparencë çdo procedurë për të cilën mund të ekzistojnë dyshime apo indicie për shkelje ligjore.
Ai ka kërkuar që fondet publike të përdoren në funksion të qytetarëve dhe që Bashkia e Tiranës të fokusohet në krijimin e më shumë hapësirave të parkimit, uljen e kostove dhe përmirësimin e shërbimeve.
Sipas Partisë së Lirisë, qytetarët e Tiranës kanë nevojë për parkime funksionale, tarifa të përballueshme dhe transparencë në administrimin e fondeve publike.
Lexo edhe:
Tirana po mbytet nga makinat/ Qyteti pa parkime, pa frymë dhe pa zgjidhje
Betonizimi i Tiranës shtrenjton parkimin, banorët 15 mln euro në vit për qëndrimin e mjeteve














