Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë në kuadër të operacionit policor “The Wanted”, i realizuar në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për Saimir Kolaverin, 44 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra të rënda penale.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, Kolaveri dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe ka bashkëpunuar me anëtarë të tjerë të këtij grupi për vrasjen e shtetasit Klevis Lleshi, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 dhe e lidhur me motive gjakmarrjeje.
Hetimet kanë dokumentuar gjithashtu se pas krimit, i dyshuari dyshohet se ka marrë pjesë në transportimin dhe fshehjen e trupit të viktimës në fshatin Shpërdhet, në zonën e Mamurrasit, me qëllim pengimin e zbardhjes së ngjarjes.
44-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Pas lokalizimit dhe arrestimit të tij në Itali, autoritetet e të dy vendeve finalizuan procedurat e ekstradimit, duke e sjellë Kolaverin në Shqipëri, ku ai do të përballet me akuzat e ngritura nga drejtësia shqiptare.














