Advertisement

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, i shpallur fajtor si pjesë e grupit kriminal që ekzekutoi ish-efektivin e Policisë së Shtetit, Santiago Malko, në vitin 2019.

Selmani nuk ishte i pranishëm në seancën e zhvilluar në Apelin e Posaçëm. Pas vendimit, ai pritet të transferohet nga masa e “arrestit në shtëpi” në një burg të sigurisë së lartë, ku do të vuajë dënimin.

Reklame

Ilir Selmani ishte liruar pak kohë më parë nga paraburgimi dhe ishte vendosur në arrest shtëpie, për shkak të tejkalimit të afateve ligjore të paraburgimit.

Ai është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për përfshirjen në ekzekutimin e Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur më 19 gusht 2019 në Tiranë, një nga atentatet më të bujshme të viteve të fundit.

Arrestimi i Emiljano Ninës shtoi dyshimet për një atentat

Pak ditë më parë, pranë banesës së Selmanit, e cila ruhet nga forca të shumta policore, u arrestua Emiljano Nina, i cili sipas autoriteteve mbante armë zjarri. Nina konsiderohet një nga personat më të afërt të të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

Ky zhvillim ka ngritur dyshime te grupi hetimor se mund të ishte duke u përgatitur një atentat për hakmarrje, megjithëse hetimet për motivet dhe rrethanat e plota vijojnë.

Me vendimin e Apelit të Posaçëm, dënimi prej 28 vitesh burg ndaj Ilir Selmanit bëhet i formës së prerë në këtë shkallë gjykimi, ndërsa ai do të rikthehet në sistemin e burgjeve për të vuajtur dënimin.

I dënuar për vrasjen e Santiago Malkos, Ilir Selmani paraqitet në Apelin e GJKKO, shtyhet seanca

Reklame