Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka ngritur alarmin për situatën kritike të sistemeve dixhitale qeveritare, duke deklaruar se mosfunksionimi dhe paqëndrueshmëria e platformës e-Albania dhe shërbimeve të administruara nga AKSHI po shkaktojnë pasoja serioze për bizneset, qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Sipas AmCham, ndërprerjet e shpeshta, bllokimi i shërbimeve dhe performanca e paparashikueshme e e-Albania-s kanë paralizuar procese kyçe administrative, duke penguar kompanitë të përmbushin detyrimet ligjore, procedurat rregullatore dhe aktivitetin e përditshëm operacional.
“Në kushtet kur sistemet digjitale qeveritare administrojnë të dhëna shumë sensitive, mungesa e auditimit të pavarur, e sigurisë dhe e përditësimit të vazhdueshëm sipas standardeve ndërkombëtare përbën rrezik serioz për stabilitetin ekonomik, vazhdimësinë e bizneseve dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në reagimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
AmCham thekson se këto problematika nuk mund të konsiderohen më incidente të izoluara, por një dështim sistemik i menaxhimit të infrastrukturës dixhitale shtetërore. Sipas raportimeve të anëtarëve të saj, shumë shërbime të e-Albania-s funksionojnë në mënyrë të paqëndrueshme, me ndërprerje të shpeshta, vonesa, akses të kufizuar gjatë orareve të ngarkuara dhe mungesë transparence në menaxhimin e incidenteve.
Dhoma ngre shqetësim të veçantë edhe për administrimin e të dhënave tepër sensitive të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike nga sisteme që bien shpesh jashtë funksionit, duke e cilësuar këtë situatë si një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.
Në reagimin e saj, AmCham i bën thirrje Qeverisë që të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të të gjitha shërbimeve të e-Albania-s, veçanërisht atyre kritike për aktivitetin e biznesit.
Ndër masat urgjente të propozuara përfshihen auditime të detyrueshme dhe të pavarura të sigurisë kibernetike sipas standardeve ndërkombëtare dhe të BE-së, forcimi i mekanizmave të autorizimit dhe kontrollit të aksesit, vendosja e standardeve të qarta për disponueshmëri dhe vazhdimësi shërbimi, rritja e transparencës në prokurimet publike në sektorin TIK, si dhe komunikim i strukturuar dhe i detyrueshëm për çdo incident apo ndërprerje shërbimi.
AmCham thekson se pa ndërhyrje të menjëhershme dhe reforma strukturore në menaxhimin e sistemeve dixhitale shtetërore, rrezikohen jo vetëm bizneset dhe investimet, por edhe besimi i qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në shtetin shqiptar.
Reagimi i plotë:
Duke qenë se sistemet digjitale qeveritare administrojnë të dhëna shumë sensitive, mungesa e auditimit, sigurisë dhe përditësimit të vazhdueshëm në përputhje me standardet ndërkombëtare përbën rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik, vazhdimësinë e bizneseve dhe sigurinë kombëtare.
AmCham shpreh shqetësim të veçantë në lidhje me reagimet e vazhdueshme të marra nga anëtarët e saj pas zhvillimeve të fundit që lidhen me AKSHI-n. Sipas raportimeve të anëtarëve, disa shërbime të platformës e-Albania aktualisht funksionojnë në mënyrë të paqëndrueshme dhe nuk përmbushin nevojat operacionale të bizneseve dhe qytetarëve. Këto shqetësime përfshijnë ndërprerje të shërbimeve, vonesa, akses të kufizuar gjatë orareve të ngarkuara dhe performancë të paparashikueshme të sistemit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ndërprerjen e aktivitetit normal të bizneseve.
Ndërprerje të tilla kanë një ndikim të prekshëm dhe të menjëhershëm negativ në aftësinë e kompanive për të përmbushur detyrimet rregullatore, për t’u shërbyer klientëve dhe për të zhvilluar operacionet e përditshme. Ky shqetësim është veçanërisht i rëndësishëm për AmCham, pasi Dhoma përfaqëson një numër të konsiderueshëm kompanish anëtare që operojnë në ekosistemin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe sektorë të lidhur me të. Shumë prej këtyre kompanive janë të certifikuara ndërkombëtarisht, zbatojnë standarde të larta sigurie dhe rregullatore, dhe disa prej tyre janë të verifikuara plotësisht dhe të autorizuara për të ofruar shërbime për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, pavarësisht kësaj eksperience të fortë vendase dhe ndërkombëtare, anëtarët e AmCham raportojnë shqetësime të vazhdueshme lidhur edhe me proceset e prokurimit publik në sektorin TIK. Këto shqetësime cenojnë konkurrencën e ndershme dhe përdorimin efektiv të fondeve publike, duke rritur njëkohësisht rreziqet që lidhen me menaxhimin dhe mbrojtjen e të dhënave tepër sensitive.
Këto të dhëna përfshijnë informacion që lidhet me institucionet publike, bizneset, të dhënat personale dhe pasurore të qytetarëve, si dhe informacione të tjera me rëndësi kritike për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë.
Në krahasim, në Shtetet e Bashkuara dhe në ekonomitë e tjera të avancuara, kompanitë e përfshira në sistemet TIK qeveritare dhe sistemet sensitive i nënshtrohen proceseve strikte të verifikimit, kërkesave për autorizim sigurie dhe kontrolleve financiare, përfshirë edhe kufizime mbi marzhet e fitimit, me qëllim garantimin e transparencës, eficiencës dhe mbrojtjes së fondeve të taksapaguesve.
Për këtë arsye, AmCham i bën thirrje Qeverisë të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të të gjitha shërbimeve të e-Albania-s, me fokus të veçantë te shërbimet kritike për aktivitetin e biznesit dhe prokurimet.
Në zgjidhjet afat shkurtra, AmCham propozon ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme si më poshtë:
- AmCham propozon krijimin e një kuadri ligjor të detyrueshëm për auditime periodike dhe të pavarura të IT-së dhe sigurisë kibernetike për të gjitha platformat kritike të e-Government, të kryera në përputhje me standarde ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të BE-së, përfshirë ISO/IEC 27001, ISO/IEC 22301, NIST, SOC 2 dhe udhëzimet e ENISA, me përmbledhje ekzekutive të disponueshme për palët e interesuara.
- Autorizim sigurie, verifikim dhe kontroll aksesi: AmCham sugjeron forcimin e efektivitetit dhe nivelit të maturimit të mekanizmave ekzistues për autorizim sigurie, verifikim dhe kontroll aksesi në sistemet TIK qeveritare, në përputhje me rregulloret në fuqi për sigurinë e informacionit, menaxhimin e databazave shtetërore, prokurimin e informacionit të klasifikuar dhe ligjin e prokurimit publik. Duke njohur praktikat e zbatuara prej AKSHI-t, rekomandohet vlerësimi dhe përmirësimi i këtyre mekanizmave, përfshirë kontrollin e aksesit të bazuar në role, në linjë me Direktivën NIS2 të BE-së dhe praktikat më të mira të shteteve anëtare.
- Standarde për disponueshmëri dhe vazhdimësi: Përcaktimi dhe zbatimi i kërkesave minimale për nivelin e shërbimit (SLA) lidhur me funksionimin, kohën e rikuperimit dhe performancën e sistemeve kritike, duke përfshirë redundancën, rikuperimin nga fatkeqësitë dhe vazhdimësinë e biznesit, në përputhje me ISO/IEC 22301 dhe parimet e reziliencës digjitale të BE-së.
- AmCham sugjeron rritjen e efektivitetit dhe maturimit të procedurave ekzistuese të prokurimit në sektorin TIK, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për sigurinë e informacionit, menaxhimin e databazave shtetërore, prokurimin e informacionit të klasifikuar dhe ligjin e prokurimit publik. Duke njohur praktikat aktuale të AKSHI-t, rekomandohet forcimi i vlerësimit mbi bazë merite, përmes peshimit më të qartë të kritereve teknike, certifikimeve, përvojës dhe profilit të sigurisë, në linjë me Direktivat e BE-së për Prokurimin Publik.
- Komunikim i strukturuar dhe njoftim i detyrueshëm për incidentet: Krijimi i mekanizmave zyrtarë për njoftimin e bizneseve dhe qytetarëve mbi mirëmbajtjet e planifikuara, incidentet dhe ndërprerjet e shërbimit, përfshirë kohën e parashikuar të zgjidhjes dhe raportet pas incidentit, në përputhje me detyrimet e raportimit sipas NIS2.
- Kuadër i rregulluar për integrimin e sistemeve: Krijimi i një kuadri të sigurt dhe të rregulluar që u mundëson sistemeve të autorizuara të sektorit privat të integrohen me platformat e e-Government, aty ku është e përshtatshme, në përputhje strikte me GDPR, eIDAS / eIDAS2, standardet e sigurisë kibernetike dhe rregullat e përcaktuara të kontrollit të aksesit, për të mbështetur automatizimin dhe reduktuar barrën administrative.














