Advertisement

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, ka komentuar protestat që po zhvillohen prej javësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke theksuar se pjesëmarrja e qytetarëve në protesta përbën një element të rëndësishëm të çdo sistemi demokratik.

Gjatë një vizite në Korçë, ku u takua edhe me kryebashkiakun Sotiraq Filo, ambasadorja u pyet nga gazetarët lidhur me protestat që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec dhe situatën politike në vend.

Reklame

Huber u shpreh se Zvicra, përmes programeve të saj të zhvillimit, mbështet forcimin e institucioneve demokratike, parlamentin kombëtar, pushtetin vendor dhe shoqërinë civile.

“Ne kemi një mbështetje afatgjatë për shoqërinë civile, kështu që instrumentet demokratike dhe pjesëmarrja e njerëzve në protesta janë një element i rëndësishëm i çdo sistemi, ashtu si edhe në sistemin tonë në Zvicër”, deklaroi ambasadorja.

Megjithatë, lidhur me vetë objektin e protestës dhe zhvillimet politike në Shqipëri, Huber shmangu një qëndrim konkret, duke theksuar se ishte e vështirë që një ambasadë e huaj të jepte një vlerësim politik mbi situatën.

“Kjo është një pyetje shumë politike dhe është e vështirë për t’u përgjigjur si një ambasadë e huaj”, tha ajo.

Deklarata e ambasadores vjen në një kohë kur protestat qytetare në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit kanë hyrë në javën e katërt, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe ndalimin e projektit të investimit në Zvërnec.

Reklame