Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur akuza të forta ndaj partive opozitare, duke deklaruar se ato ndodhen në “rënie të lirë” dhe me çdo proces zgjedhor po humbasin gjithnjë e më shumë mbështetje.
Në deklaratën e tij, Kurti u shpreh se opozita mbetet e vjetër në mendësi dhe qasje, pavarësisht përpjekjeve për të sjellë figura të reja.
“Opozita është e vjetër. Kjo opozitë mundet me sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin e karakterin e ka të vjetër. Prandaj janë në rënie të lirë. Po bien vazhdimisht nëpër cikle elektorale. Sa më shumë po mbahen zgjedhje aq më poshtë po shkojnë. Asnjë mësim s’po nxjerrin. Do të ishin qesharakë sikur të mos ishin të gjorë”, deklaroi Kurti.
Ai ironizoi edhe qëndrimin e opozitës ndaj zgjedhjeve, duke thënë se ata po vendosin dy alternativa: “ose populli le të na heqë nga Kuvendi ose duhet të na dojë me zor”.
Kurti komentoi edhe numrat në Kuvend, duke përmendur partitë kryesore opozitare.
“LDK-ja po thotë që i kemi 15 deputetë por nuk më duhen asgjë. PDK-ja po thotë që i kam 22 deputetë por nuk po më duhen asgjë. Këtë s’po munden ta kapërdijnë mendërisht dhe çka po u thonë qytetarëve, po shkojmë në zgjedhje”, tha ai.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një moment tensionesh politike në Kosovë, teksa vendi po përballet me debat të fortë për zgjedhjet dhe balancat parlamentare.














