Konsumi i pijeve energjike dhe atyre të ëmbëlsuara me sheqer po kthehet në një shqetësim serioz për shëndetin publik, sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët që po i konsumojnë gjithnjë e më shumë që në moshë të vogël.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e përdorimit të këtyre pijeve lidhet drejtpërdrejt me shtimin e rasteve të mbipeshës dhe obezitetit në mbarë botën. Dikur këto probleme konsideroheshin tipike vetëm për vendet e pasura, por sot ato po përhapen me ritme alarmante edhe në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, veçanërisht në zonat urbane.
Pijet energjike dhe ato të gazuara përmbajnë sasi të larta sheqeri, kafeinë dhe substanca stimuluese, të cilat mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore. Mjekët theksojnë se konsumimi i shpeshtë i tyre ndikon jo vetëm në shtimin e peshës, por edhe në rritjen e rrezikut për diabet, sëmundje kardiovaskulare, hipertension dhe probleme me zemrën.
Një tjetër problem shqetësues është fakti se këto pije japin shumë kalori, por pothuajse asnjë vlerë ushqyese. Për shkak se nuk krijojnë ndjesinë e ngopjes si ushqimet normale, të rinjtë përfundojnë duke konsumuar më shumë kalori gjatë ditës, çka sjell shtim të pashëndetshëm në peshë.
Sipas Organizata Botërore e Shëndetësisë, konsumimi i sheqernave të lira duhet të reduktohet në më pak se 10% të energjisë totale ditore, ndërsa idealja do të ishte nën 5%, si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët.
Specialistët ngrenë alarmin edhe për efektet që pijet energjike kanë tek të rinjtë, pasi sasitë e larta të kafeinës mund të shkaktojnë pagjumësi, ankth, nervozizëm, rrahje të shpejta zemre dhe varësi psikologjike.
Shqetësimi më i madh mbetet fakti se konsumimi i tyre po normalizohet tek nxënësit e shkollave dhe adoleshentët, të cilët shpesh i përdorin për të qëndruar zgjuar, për argëtim apo edhe nën ndikimin e reklamave agresive në rrjetet sociale.
Ekspertët kërkojnë më shumë ndërgjegjësim nga prindërit, shkollat dhe institucionet shëndetësore, si dhe masa më të forta për kufizimin e reklamimit dhe shitjes së pijeve energjike tek të miturit.














