Shkurti ka nisur me mot të ashpër në Greqi, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për një sistem të fuqishëm presioni të ulët, i cili pritet të sjellë reshje të dendura shiu, stuhi të forta, erëra ciklonike dhe reshje dëbore në disa zona të vendit.

Sipas parashikimeve, përkeqësimi i motit do të nisë nga pasditja e së shtunës dhe do të arrijë kulmin gjatë së dielës, duke përfshirë pothuajse të gjithë territorin grek.

Reklame

Meteorologu i njohur Thodoris Kolidas thekson se bëhet fjalë për një fenomen jo të zakonshëm. Sipas tij, sistemi i presionit të ulët është “i fortë dhe i organizuar”, me qendër në Detin Jon që nga mëngjesi i së dielës.

Kolidas sqaron se reshjet do të nisin nga jugperëndimi i vendit, duke u përhapur gradualisht drejt lindjes, ndërsa të dielën në mëngjes fronti kryesor i stuhisë do të kalojë mbi Pellgun e Atikës, me intensitet të lartë. Ai nuk përjashton mundësinë që Shërbimi Kombëtar Meteorologjik të lëshojë një buletin emergjence për fenomene të rrezikshme.

Paralajmërime të forta vijnë edhe nga meteorologia Nicoletta Ziakopoulou, e cila e përshkruan sistemin si një presion të ulët “me strukturë të plotë ciklonike”, i ushqyer nga ujërat e ngrohta të Mesdheut. Sipas saj, kjo situatë do të sjellë erëra shumë të forta, që në zonat detare mund të arrijnë 9–10 ballë Beaufort, duke rritur ndjeshëm rrezikun për lundrimin dhe zonat bregdetare.

Ziakopoulou identifikon gjashtë rajone me rrezik të lartë, ku priten reshje intensive dhe stuhi të fuqishme. Atika pritet të preket gjatë gjysmës së parë të së dielës, ndërsa ekspertët theksojnë se rajoni është tashmë i rënduar nga reshjet e shumta të tre muajve të fundit të vitit, çka rrit rrezikun për përmbytje.

Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, përmirësimi gradual i motit pritet nga pasditja e së hënës, ndërsa të martën dhe të mërkurën parashikohen intervale me kthjellime, reshje të lehta lokale dhe rritje graduale e temperaturave drejt vlerave normale për stinën.

Reklame