Advertisement

Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar për rreziqe të mundshme sigurie në Shqipëri, duke theksuar se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara apo elementë të opozitës iraniane në vend.

Në një njoftim zyrtar, Ambasada u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Shqipëri të tregojnë vigjilencë të shtuar, ndërsa theksoi se objektiva potencialë mund të jenë edhe vende publike si zona turistike, qendra tregtare, hotele, restorante dhe klube.

Reklame

Por ky paralajmërim është kundërshtuar nga autoritetet shqiptare. Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë deklaroi se institucionet ligjzbatuese nuk kanë asnjë informacion konkret që mbështet këtë alarm, duke e cilësuar atë si “hamendje”.

Në reagimin zyrtar, agjencia shtoi se Ambasada amerikane jep shpesh njoftime të tilla edhe në situata të zakonshme, duke përmendur rastet e protestave të opozitës.

“Ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin mundësitë që ofron Shqipëria, me destinacionet e saj turistike, mikpritjen dhe kuzhinën,” thuhet në përgjigjen e qeverisë.

Deklaratat e kundërta mes Ambasadës dhe autoriteteve shqiptare kanë sjellë një situatë të pazakontë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime të mëtejshme lidhur me këtë çështje.

Reklame