Nga Shkëlzen Henkoja

Prej vitesh, familjet e fshatit Karkavec në Prrenjas përballen me një realitet të rëndë: mungesën e një furnizimi normal me energji elektrike. Linja ekzistuese është e amortizuar prej dekadash dhe sot përbën jo vetëm problem jetese, por edhe rrezik serioz për sigurinë e banorëve.
Pamjet e siguruara nga gazetari Shkëlzen Henkoja tregojnë një situatë alarmante. Të lënë në harresë, banorët janë detyruar të ndërhyjnë vetë në rrjet, duke improvizuar zgjidhje primitive: tela të kaluar nëpër pemë, shtylla të paqëndrueshme dhe lidhje pa izolatorë, shpesh të mbështetura mbi dërrasa të thjeshta.
Sa herë bie shi apo fryn erë, energjia elektrike ndërpritet menjëherë. Linja, e ndërtuar me materiale të ndryshme dhe të oksiduara nga koha, nuk përballon më as ngarkesën minimale. Tensioni shpesh bie nën 180 volt, duke dëmtuar pajisjet shtëpiake dhe duke e bërë jetën e përditshme edhe më të vështirë.
Banorët thonë se pajisjet si lavatriçet apo hekurat mund të përdoren vetëm pas mesnatës, kur rrjeti “lehtësohet” disi – një situatë absurde në vitin 2026.
Kjo është një histori neglizhence të gjatë institucionale, ku një komunitet i tërë vazhdon të jetojë në kushte të papranueshme, larg standardeve minimale të jetesës. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: deri kur do të vazhdojë kjo gjendje dhe kush do të mbajë përgjegjësi?

Reklame
Reklame