Policia e Tiranës ka arrestuar një 41-vjeçar të akuzuar për plagosje të dyfishtë, një ngjarje e ndodhur dy javë më parë në zonën e Paskuqanit.

I arrestuari, i identifikuar si Ylli Murati, është ndaluar gjatë një operacioni policor në rrugën “Mine Peza”, ku po lëvizte i armatosur.

Reklame

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit policor, 41-vjeçarit i janë sekuestruar një armë zjarri (pistoletë) me krehrin dhe fishekë, dhjetëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshëm, një armë e ftohtë (thikë), një sasi e dyshuar lënde narkotike kokainë, si dhe automjeti tip “Benz” që ai po drejtonte.

Hetimet paraprake tregojnë se rreth dy javë më parë, në Paskuqan, ai dyshohet se ka plagosur me thikë dy persona, E. Q. dhe A. V., gjatë një konflikti të çastit që më pas ka eskaluar në dhunë.

Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe verifikimin e rrethanave të saj.

Reklame