Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin e autostradës Mamurras–Laç, pranë zonës së Gjormit, ku një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë kanë dalë jashtë rruge. Si pasojë e përplasjes së fortë, një prej personave ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa katër të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Në vendin e aksidentit kanë mbërritur forca të shumta policie, grupi hetimor dhe shërbimet e emergjencës, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Autoritetet pritet të japin detaje të tjera në vijim lidhur me identitetin e viktimës dhe gjendjen shëndetësore të të plagosurve.














