Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës së një 18-vjeçareje është shënuar mbrëmjen e së enjtes në Durrës, në zonën e Urës së Dajlanit, në lagjen nr. 4.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet BMW X5 ka dalë nga rruga në mbikalim dhe ka rënë nga ura, duke përfunduar rreth 30 metra poshtë saj.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vend pasagjerja e mjetit, 18-vjeçarja Vikena Greku. Ndërkohë, janë plagosur drejtuesi i automjetit, A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, si edhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije:
“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, ka rënë nga mbikalimi. Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe dy këmbësorë, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.”
Dëshmitarë në vendngjarje bëjnë me dije se ka qenë e nevojshme ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e dy të rinjve që ndodheshin brenda automjetit të aksidentuar.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa qarkullimi në zonë është normalizuar pas ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës.














