Advertisement

Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në Athinë, ku pronari shqiptar i një restoranti dhe djali i tij kanë mbetur të plagosur.

Sipas mediave greke, incidenti ka ndodhur rreth orës 02:40 në zonën Agios Dimitrios, në rrugën Agoniston Polytechneiou, ku ndodhet edhe biznesi i familjes. Autorët e sulmit dyshohet se ishin tre persona, të cilët mbërritën me makinë dhe hapën zjarr në drejtim të restorantit.

Reklame

Nga të shtënat me armë u plagos pronari 70-vjeçar, me origjinë nga Shqipëria, i cili u qëllua në këmbë. Po ashtu, i plagosur mbeti edhe djali i tij 39-vjeçar, i cili mori plagë në kofshë dhe në pulpë.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, të cilat sekuestruan katër gëzhoja si prova materiale. Të plagosurit u transportuan drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas sulmit, autorët u larguan me shpejtësi me automjet në drejtim të panjohur. Hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve i ka marrë përsipër njësia speciale e policisë greke, e njohur si “FBI-ja greke”.

Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Reklame