Katër persona, mes tyre dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës, janë arrestuar në Tiranë pasi u konstatuan duke qarkulluar me një automjet të blinduar tip “Audi”, në të cilin policia gjeti një pistoletë dhe një fenelinë të ngjashme me ato të Policisë.

Ndalimi i automjetit u krye pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1.

Reklame

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë kontrollit të automjetit u gjet një çantë e zezë në pjesën e pasme, brenda së cilës ndodhej një pistoletë. Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një fenelinë të ngjashme me ato të policisë, që dyshohet se mbahej nga njëri prej personave në automjet.

Një pistoletë tjetër iu gjet punonjësit të Gardës

Policia bën të ditur se gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, 40-vjeçarit me inicialet E.R., punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet gjithashtu një pistoletë.

Për këtë armë po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), për të përcaktuar rrethanat dhe ligjshmërinë e mbajtjes së saj.

Në pranga kanë rënë edhe tre personat e tjerë që ndodheshin në automjet. Sipas të dhënave të bëra publike, ata janë Ilir Shyti, 28 vjeç, Leonard Murataj, 42 vjeç, dhe Ernest Selmani, 46 vjeç. Dy të fundit janë ushtarakë.

Ilir Shyti, djali i Roland Shytit

Vëmendje ka tërhequr edhe identiteti i Ilir Shytit, i cili është djali i Roland Shytit, emër i lidhur me procesin gjyqësor të njohur si “Hakmarrja për Drejtësi”.

Megjithatë, hetimi i policisë në këtë rast lidhet me armët e gjetura në automjet dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale të katër personave.

Të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Deri në këtë fazë, arrestimi dhe dyshimet e ngritura nuk përbëjnë vendim fajësie ndaj personave të përfshirë.

Lexo edhe

Protesta në Tiranë, policia procedon 10 persona dhe ndëshkon 13 të tjerë

U shtir si turist me familjen, por policia italiane zbuloi drogën e fshehur në makinë dhe banesën e shqiptarit

Reklame