Detaje të reja dalin në dritë nga hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares që u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Dokumentet e Prokurorisë hedhin dritë mbi dyshimet për një përfshirje të disa familjarëve të ish-bashkëshortit, përpara dhe pas krimit.

Sipas dosjes së publikuar nga mediat në Kosovë, ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj, dyshohet se e fotografonte dhe e filmonte vazhdimisht Arlindën, duke ruajtur në telefon materiale që dokumentonin lëvizjet dhe vendndodhjen e saj.

Reklame

Në telefonin e saj, sipas Prokurorisë, është gjetur edhe një video e datës 23 tetor, ku Arlinda shfaqet duke ecur në qytet. Pamjet dyshohet se i ishin dërguar përmes WhatsApp-it nga ish-kunati i saj, Driton Sylaj, i cili gjithashtu dyshohet se përcillte lëvizjet e 49-vjeçares.

Por një tjetër element i rëndë i dosjes lidhet me momentin e vrasjes. Prokuroria pretendon se Nurije Sylaj ndodhej në shtëpi kur djali i saj, Albert Sylaj, sulmoi Arlindën me sëpatë. Sipas hetimeve, ajo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar sulmin, pavarësisht se ishte e pranishme.

Gjithashtu, hetuesit dyshojnë se pas ngjarjes, ish-vjehrra ka dhënë një dëshmi që nuk përputhet me pamjet e kamerave të sigurisë. Ajo kishte pretenduar se Arlinda e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë, ndërsa vetë kishte qenë pa ndjenja në momentin e vrasjes.

Hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-kunatit Driton Sylaj, i dyshuar për ndihmë në përgatitjen dhe lehtësimin e vrasjes. Ndërkohë, dy persona të tjerë, Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi, dyshohet se kanë ndihmuar Albert Sylajn të largohej dhe të fshihej pas krimit.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër të dyshuarit, ndërsa hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, për dyshimet mbi shtytjen në vrasje.

Në dosje përmenden gjithashtu komunikime kërcënuese ndaj dëshmitarëve dhe personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Prokuroria i konsideron këto komunikime si elemente që mund të tregojnë përpjekje për të ndikuar në dëshmitë dhe ecurinë e hetimeve.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, ndërsa rasti ka nxitur reagime të forta në Kosovë për shkak të paralajmërimeve të mëparshme të viktimës për rrezikun që i kanosej dhe mënyrën se si institucionet trajtuan kërkesat e saj për mbrojtje.

Lexo edhe

Parashikimi i motit për sot 25 nëntor, kthjellime, vranësira dhe reshje shiu

Horoskopi 25 nëntor 2026/ Njihuni me parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

Reklame