Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e luftës kundër kultivimit dhe shpërndarjes së kanabisit për vitin 2026. Kreu i Policisë, Skënder Hita, bëri të ditur se janë evidentuar 132 mijë fidanë kanabisi në tentativë për t’u kultivuar, ndërsa 165 persona janë arrestuar, ndaluar apo proceduar penalisht. Në hetim janë përfshirë edhe 89 punonjës dhe zyrtarë shtetërorë.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Hita në një konferencë të përbashkët me partnerët italianë të Guardia di Finanza-s, numri i fidanëve të kapur në fazën fillestare të kultivimit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2025, kur u evidentuan 17.447 fidanë.
Për monitorimin e territorit janë përdorur 84 dronë, ndërsa në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n janë realizuar 62 misione fluturimi, 10 më shumë se një vit më parë. Në shtatë raste është kërkuar gjithashtu mbështetja e helikopterëve të Forcave të Armatosura.
89 zyrtarë dhe punonjës shtetërorë të proceduar
Një nga treguesit që bie në sy në bilancin e Policisë është përfshirja e punonjësve të institucioneve publike në procedime penale që lidhen me kultivimin e kanabisit.
Sipas Skënder Hitës, 89 kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe punonjës të shërbimit pyjor e mjedisit janë proceduar penalisht për vepra që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe moskallëzimin e krimit.
Ndërkohë, 165 persona janë arrestuar, ndaluar apo proceduar penalisht për veprimtari që lidhen drejtpërdrejt me kultivimin e bimëve narkotike.
17 raste të kultivimit me llamba në ambiente të mbyllura
Operacionet policore kanë përfshirë edhe ambientet e mbyllura, ku kultivimi i kanabisit realizohet përmes përdorimit të llambave. Gjatë vitit 2026 janë goditur 17 raste të kësaj veprimtarie.
Një tjetër fokus i Policisë ka qenë shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike pranë shkollave. Sipas bilancit zyrtar, janë finalizuar 31 operacione në perimetrat e sigurisë së institucioneve arsimore, duke goditur dhjetëra episode të shitjes së drogës.
Hita deklaroi se lufta kundër narkotikëve do të vijojë edhe gjatë vitit 2027, me fokus identifikimin e financuesve, organizatorëve dhe rrjeteve që sigurojnë farat për kultivim, si dhe goditjen e zinxhirit të shpërndarjes.
Policia synon gjithashtu të intensifikojë kontrollet në zonat e thella malore dhe rurale, si dhe të forcojë bashkëpunimin me institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë.
Lexo edhe
Pak minuta para protestës, Skënder Hita zbret në terren dhe jep porositë e fundit














