Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi një analizë me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e sotme, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 44-vjeçar dhe u plagos një 73-vjeçar, kalimtar i rastit.
Gjatë takimit, Hita kërkoi që hetimet për atentatin të jenë të shpejta dhe të thelluara, ndërsa strukturave lokale iu kërkua një skanim i plotë i situatës kriminale në Sarandë dhe Delvinë.
Fokusi, sipas Policisë, duhet të nisë nga konfliktet më të mprehta deri te përplasjet e vogla, duke evidentuar personat me precedentë penalë dhe kontingjentin kriminal që vepron në zonë, përfshirë edhe persona që mund të jenë të lëvizshëm në territore të ndryshme.
Hita: Të goditen grupet kriminale
Drejtori i Përgjithshëm kërkoi rezultate konkrete jo vetëm për dokumentimin e ngjarjes së sotme, por edhe për ngjarje kriminale të ndodhura më herët.
“Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara”, u shpreh Hita.
Ai kërkoi gjithashtu goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimin e veprimtarive të paligjshme.
“Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike”, tha Hita, duke theksuar se reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale mbeten thelbësore.
Kontrollet me dron në Sarandë dhe Delvinë
Në kuadër të hetimeve për atentatin, Policia po kryen kontrolle edhe përmes dronëve, në territore të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për administrimin dhe analizimin e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme në Sarandë, ku një 44-vjeçar u qëllua me armë zjarri dhe humbi jetën, ndërsa një 73-vjeçar, kalimtar i rastit, mbeti i plagosur.
Lexo edhe:
Atentati në Sarandë/ 44-vjeçari ishte ulur në kafe, sapo pikasi autorët tentoi të largohet me vrap














