Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar qindra ton mbetje të dyshuara si të rrezikshme në uzinën e AlbChrome, në kuadër të dosjes hetimore ndaj firmës koncesionare. Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë së Elbasanit, sekuestrimi është kryer për një sasi të konsiderueshme prej rreth 300 tonësh mbetje, të cilat do të shërbejnë për vërtetimin e rrethanave dhe fakteve objekt të hetimit penal. Vendimi për sekuestrimin është marrë më 5 nëntor nga kryeprokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi dhe dy prokurorët Jonida Allushi dhe Vasjana Postol.
“Pasi u njohëm me aktet e procedimit penal, si këqyrja e vendit të ngjarjes shoqëruar me tabelë fotografike, si dhe për nevojat e hetimit të këtij procedimi penal, çmojmë se është i nevojshëm sekuestrimi i provës materiale të sasisë prej rreth 300 tonë të mbetjeve të dyshuara si mbetje të rrezikshme, pasi vlerësohen si të domosdoshme për vërtetimin e fakteve objekt i hetimit penal. Duke u nisur nga natyra e sendit ndaj të cilit vlerësojmë se duhet vënë sekuestro, çmojmë se sendi duhet t’i lihet në ruajtje subjektit “Albchrome” shpk i cili ka detyrimin e ruajtjes dhe paraqitjes së sendit kur t’i kërkohet nga organi procedues,“-thuhet në vendimin e Prokurorisë.


Në maj të këtij viti, kompania u gjobit me 4 milionë lekë nga autoritetet mjedisore dhe aktiviteti i saj u pezullua përkohësisht pas konstatimit të mbetjeve të rrezikshme në ambientet e kompanisë. Agjencia Kombëtare e Mjedisit i cilësoi mbetjet me rrezikshmëri të lartë, me përbërës potencialisht kancerogjenë. Raporti ngre shqetësime për rrezikun që këto mbetje mund të paraqesin për shëndetin e banorëve dhe mjedisin përreth.
Hetimi pritet të hedhë dritë mbi mënyrën e administrimit dhe depozitimit të mbetjeve, kohëzgjatjen e kësaj praktike, përgjegjësitë e mundshme të personave apo subjekteve të përfshira, si dhe pasojat që mund të jenë shkaktuar në mjedis dhe shëndetin e komunitetit.
‘Albchrome’ është një nga kompanitë më të mëdha në sektorin minerar në Shqipëri, me aktivitet në Bulqizë, Mat, Klos dhe Elbasan. Ajo është renditur si një nga 5 kompanitë më të mira në botë për ofrimin e produktit të ferrokromit edhe nga Afarak Group, një grup me aktivitet në sektorin minerar dhe prodhimin e kromit, i specializuar në Evropën Jugore dhe Afrikën Jugore.Në vitin 2016, mbi aksionet e kompanisë ishte vendosur një sekuestro konservative në lidhje me detyrime ndaj KESH, masë e cila më vonë ishte liruar.
Në vitin 2024, ku “Albchrome”, shënoi rënie me 20% të të ardhurave, pas përgjysmimit në vitin 2023, duke zbritur në 6.5 miliardë lekë. Kompania raportoi humbje prej 78 milionë lekësh (rreth 740 mijë euro). Në shtator të vitit 2025 pati ndryshime të rëndësishme në strukturën drejtuese të kompanisë. Vendimi erdhi nga ortaku i vetëm i saj, “Albchrome Holding” Sh.p.k., të përfaqësuar nga administrator, Sabit Sagir./ZËRI
Lexo edhe
Zjarr te Ministria e Mjedisit, protestuesit i vënë flakën derës së institucionit














