Shqiptari Dorian Puka është rikthyer sërish në vëmendjen e medias britanike The Telegraph, këtë herë për koleksionin e tij të orëve luksoze, me një vlerë të përllogaritur prej afro 500 mijë paundësh.
Në artikullin e publikuar këtë të shtunë, gazeta britanike shkruan se 29-vjeçari ka ekspozuar në rrjetet sociale disa prej orëve më të shtrenjta që zotëron, ndërsa vazhdon të përballet me procedurat për dëbimin nga Mbretëria e Bashkuar.
Mes orëve të publikuara është një Rolex Cosmograph Daytona “Le Mans”, prej ari 18 karatësh, me vlerë të përllogaritur rreth 145 mijë paund. Në një tjetër fotografi, Puka shfaqet me tre ora Rolex Day-Date 36, gjithashtu prej ari 18 karatësh, dy prej të cilave vlerësohen nga 33 mijë paund secila, ndërsa e treta arrin deri në 45 mijë paund.

Koleksioni përfshin gjithashtu dy ora Patek Philippe Aquanaut, me vlerë nga 65 mijë deri në 80 mijë paund secila. Në një prej postimeve të tij, shqiptari ka shkruar: “Dikur isha i varfër, të kujtohet?”, duke shfaqur një tjetër prej orëve luksoze.

The Telegraph ndalet edhe te mënyra e jetesës së Pukës, duke përmendur fotografitë e fundit me një automjet luksoz Rolls-Royce Cullinan, model që kushton rreth 330 mijë paund, si dhe një mace të racës Bengal, kotelet e së cilës mund të shiten nga 400 deri në 1,200 paund.
Sipas gazetës, publikimi i këtyre pasurive ka ngritur pikëpyetje mbi burimin e të ardhurave që i mundësojnë shqiptarit të mbajë një stil të tillë jetese, ndërkohë që ndodhet në Britani në pritje të përfundimit të procedurave ligjore.
Puka është dënuar dhe dëbuar dy herë nga Britania e Madhe për vjedhje me thyerje, por ka arritur të rikthehet sërish në vend. Në vitin 2016 ai u dënua me nëntë muaj burg për tentativë vjedhjeje në një banesë, ndërsa në vitet pasuese u përfshi në një seri vjedhjesh në Londër. Pas një tjetër dënimi me tre vite e gjysmë burg, ai u dëbua në mars të vitit 2020.
Aktualisht, shqiptari po përballet me përpjekjen e tretë për dëbimin e tij. Ministria e Brendshme britanike ka fituar një vendim në shkallën e parë të gjykimit për emigracionin, pas rrëzimit të kërkesës së tij për azil. Megjithatë, autoritetet nuk mund ta largojnë nga vendi deri në përfundimin e shqyrtimit të apelimit të tij në gjykatën e shkallës më të lartë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme britanike ka deklaruar se Puka është një shtetas i huaj me precedentë penalë dhe se autoritetet po bëjnë gjithçka për të siguruar largimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndërkohë, ministrja e Brendshme Shabana Mahmood po ndërmerr ndryshime ligjore për të përshpejtuar procedurat e dëbimit të shtetasve të huaj të dënuar për vepra penale.
Lexo edhe
Rinas/ Tentoi të trafikonte pistoletë drejt Anglisë, arrestohet 42-vjeçari














