Gjykata e Lartë ka njoftuar shtyrjen e seancave gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në këtë institucion, me përjashtim të çështjeve me natyrë urgjente, pas dëmeve të shkaktuara nga zjarri gjatë protestave më 17 tetor 2026.

Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata e Lartë bën me dije se zjarri ka shkaktuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturën e godinës, përfshirë edhe dosje gjyqësore.

Reklame

Për këtë arsye, institucioni ka vlerësuar të nevojshme marrjen e masave për evidentimin e dëmeve dhe verifikimin e gjendjes së dokumentacionit gjyqësor.

Sipas njoftimit, seancat do të mbeten të shtyra deri në përfundimin e procesit të verifikimit të dëmeve dhe rikthimin e kushteve të nevojshme për vijimin normal të veprimtarisë gjyqësore.

Njoftimi:

Si pasojë e zjarrit të shkaktuar gjatë protestave, në datën 17 tetor 2026, ambientet e Gjykatës së Lartë kanë pësuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore. Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor.

Në këto rrethana, seancat gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit.

Gjykata e Lartë ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe ka ndërmarrë me përgjegjësi e përkushtim të plotë çdo masë të nevojshme për përballimin e kësaj situate të pa precedentë. Prioriteti i Gjykatës mbetet vlerësimi i saktë i dëmeve, identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar. Subjektet që do të rezultojnë të prekur nga kjo situatë do të njoftohen individualisht nëpërmjet të dhënave të tyre te kontaktit.

Punonjësit e Gjykatës së Lartë janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka vijimësia e proceseve gjyqësore dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë te palët ndërgjyqëse, përfaqësuesit e tyre ligjorë dhe të gjithë përdoruesit e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, në përballimin e këtyre rrethanave, të cilat kërkojnë kohën dhe kujdesin e maksimal për të garantuar vijimin e sigurt dhe të rregullt të veprimtarisë gjyqësore.

Gjykata e Lartë mbetet e vendosur dhe thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues, në garantimin e vijimësisë së drejtësisë dhe në mbrojtjen e të drejtave të palëve, duke vepruar me përgjegjësi dhe transparencë.

Për datat e reja të zhvillimit të seancave gjyqësore, palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të informohen në vijim përmes faqes zyrtare të internetit dhe kanaleve zyrtare të komunikimit të Gjykatës së Lartë.

Lexo edhe

“Jeni fshehur nga protestat?” Rama përplaset me deputetët e PS: Heshtja po ju bën të dyshimtë

Flakët përfshijnë Gjykatën e Lartë! Digjet edhe një automjet pranë godinës

Reklame