Një 23-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se u shiste pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit llastiqe gjuetie dhe sfera metalike, të cilat, sipas Policisë, mund të përdoreshin për të goditur efektivët dhe institucionet.

I riu, Orges Male, u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, duke u shitur protestuesve 30 llastiqe gjuetie me sfera metalike. Pajisjet u sekuestruan si prova materiale.

Reklame

Pas arrestimit, policia kontrolloi edhe një magazinë që 23-vjeçari posedonte në rrugën “Kol Koçi”. Aty u zbuluan mbi 450 pajisje dhe artikuj të ndryshëm, për të cilët, sipas autoriteteve, ai nuk dispononte dokumentacion.

Mes sendeve të sekuestruara janë 239 dronë të madhësive të ndryshme, 75 llastiqe gjuetie, një sasi e konsiderueshme sferash metalike dhe 44 celularë.

Çfarë u gjet në magazinë?

Përveç dronëve dhe llastiqeve, policia sekuestroi pajisje për lokalizimin GPS të automjeteve, syze me videoregjistrues, pajisje DVR, kamera për automjete, detektorë elektronikë, pajisje lazer, pajisje Bluetooth, si dhe çanta që hapen me gjurmë gishtash.

Në magazinë u gjetën gjithashtu pajisje elektronike, powerbank, llamba LED, dryna elektronikë me GPS dhe pajisje për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave.

Operacioni u kodua “Infrastruktura” dhe u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas administrimit të informacioneve të siguruara gjatë punës operative.

Sipas Policisë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar të 23-vjeçarit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale që lidhen me tregtimin dhe transportimin e mallrave kontrabandë, kontrabandën me mallra të tjera, fshehjen e të ardhurave, mospagimin e taksave dhe tatimeve, si dhe ushtrimin e një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar.

Policia nuk ka dhënë ende detaje të tjera mbi prejardhjen e pajisjeve të sekuestruara dhe qëllimin e përdorimit të tyre.

Lexo edhe

TENSIONE TE SELIA E PD-së! Policia hedh gaz lotsjellës, dy ambulanca futen në oborr

Kërcënimet për bombë, Policia: Emaili erdhi nga Arabia Saudite

Reklame