Momente të tensionuara janë regjistruar pranë selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, ku protestuesit dhe efektivët e Policisë janë përballur gjatë tubimit.

Sipas raportimeve nga vendngjarja, një grup protestuesish është futur në ambientet e selisë së PD-së, ndërsa Policia ka përdorur gaz lotsjellës në afërsi të godinës. Disa persona janë ndjerë keq nga gazi dhe kanë marrë ndihmën e parë. Dy ambulanca janë futur në oborrin e selisë, ndërsa një person i dëmtuar është nxjerrë nga godina.

Reklame

Gjatë ndërhyrjes, disa persona janë shoqëruar nga Policia. Ndërkohë, në Rrugën e Elbasanit raportohet për prani të shtuar të efektivëve.

Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, pretendoi se policia kishte hedhur bombola gazi brenda selisë, duke deklaruar se nuk kishte pasur asnjë incident apo provokim që ta justifikonte ndërhyrjen.

Edhe deputeti Eno Bozdo e cilësoi ngjarjen të turpshme, duke akuzuar Policinë për dhunë të pajustifikuar. Ai tha se tre deputetë kishin dalë për të komunikuar me komandantin e forcave, por sipas tij, askush nuk kishte dalë për t’u takuar me ta.

Përplasjet pranë selisë së PD-së zhvillohen në një klimë të tensionuar, ndërsa protesta në kryeqytet vijon të shoqërohet me ndërhyrje policore dhe persona të lënduar.

lexo edhe

Përplasje të forta para Kryeministrisë, policia me gaz lotsjellës dhe protestuesit me gurë e kapsolla

Komisioni Europian i dërgon mesazh Tiranës: Protesta është e drejtë, reagimi duhet të jetë brenda ligjit

Reklame