Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me protestat dhe përplasjet e ditëve të fundit, duke theksuar se e drejta për të protestuar duhet të respektohet, por dhuna nuk mund të tolerohet.
“Protestat janë një E DREJTË, ndërsa Dhuna është KRIM dhe kjo vijë e kuqe do të ndahet prerazi në këtë fazë kritike të zhvillimit tonë demokratik”, shkruan Rama.
Kryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e asaj që ai i cilëson si presione nga manipuluesit mediatikë, ndërsa protestuesve u ka kërkuar të distancohen nga personat që kryejnë akte dhune.
Rama paralajmëron gjithashtu pasoja financiare për protestuesit që nuk distancohen nga dhunuesit, ndërsa për këta të fundit thotë se do të përballen me përgjegjësi ligjore dhe financiare.
“Dhunuesit duhet dhe do të marrin faturën ligjore e financiare të verbërisë së tyre”, shprehet kreu i qeverisë.
Në reagimin e tij, Rama thekson se ai dhe shumica qeverisëse janë të gatshëm të zhvillojnë dialog me palët që distancohen nga dhuna, duke përjashtuar nga kjo mundësi personat që kryejnë akte të tilla dhe patitë politike që, sipas tij, nuk i dënojnë ato.
“Unë dhe shumica qeverisëse jemi gati për dialog me këdo tjetër përveç dhunuesve dhe partive politike që nuk distancohen nga dhuna. Në çdo vend. Në çdo orë. Pa kushte”, përfundon Rama.
Reagimi vjen në një klimë të tensionuar politike, pas disa ditësh protestash dhe përplasjesh mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit në Tiranë.
Lexo edhe
“Rama, jep dorëheqjen!”, të rinjtë e Lezhës bojkotojnë sërish mësimin dhe marshojnë në qytet
Rama sfidon protestuesit: Nuk largohem, kontrata ime mbaron në 2029














