Policia dyshon se lëndët piroteknike të kontrabanduara do t’u shiteshin personave të përfshirë në protestat e ditëve të fundit. Vlera e tyre llogaritet rreth 40 mijë euro.
Një 24-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi në banesën e tij u zbuluan 344 kuti me lëndë piroteknike, me vlerë rreth 40 mijë euro.
Operacioni policor është koduar “Fireworks” dhe u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve operative për magazinimin e një sasie të konsiderueshme lëndësh piroteknike në një banesë.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit në katin e parë të banesës së 24-vjeçarit, në rrugën “Jargavani”, u gjetën 344 kuti me lëndë piroteknike të llojeve të ndryshme.
I arrestuari, i identifikuar me inicialet E. R., dyshohet se i furnizonte këto lëndë te persona të maskuar dhe të dhunshëm gjatë protestave të zhvilluara në tri ditët e fundit.
Policia bën me dije se kontrollet dhe veprimet hetimore vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa dyshimet e ngritura nga Policia mbeten për t’u verifikuar në kuadër të procedurave ligjore.
Lexo edhe
Protesta në Lezhë, gjimnazistët bëjnë thirrje për bojkot të mësimit
Policia bllokon gjimnazistët e Kamzës që duan t’i bashkohen protestës në Tiranë














